Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjeter Bogdani” u promovua libri universitar “Edukata Qytetare” i autorëve Sabri Rexha dhe Nysret Pllana. Nga të pranishmit ky libër u vlerësua lartë dhe u konsiderua si mjaft i rëndësishëm për gjeneratat e ardhshme, jo vetëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, por për të gjitha vendet shqipfolëse.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema, tha se ky libër i ka munguar Universitetit të Prishtinës, e madje librat që trajtojnë këtë tematikë në thellësi siç bënë ky libër, nuk janë të shpeshtë as në raftet e bibliotekave botërore. Ai u shpreh i lumtur që një libër i kalibrit të tillë po i shtohet edhe listës së botimeve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina.

“Libri që sot po promovohet do mbushë një zbrazëti të theksuar në literaturën për edukimin qytetar, jo vetëm në Universitetin e Prishtinës dhe në vendin tonë, por në rajon dhe më gjerë, kur dihet që librat që trajtojnë këtë temë janë të pakta edhe në raftet e bibliotekave botërore” tha Rektori Dema. Ai vlerësoi lartë edhe punën e profesorëve Rexha dhe Pllana, duke theksuar që autorët e këtij libri, edhe në të kaluarën kanë bërë publikime të tilla, të cilat u kanë shërbyer studentëve të UP-së.

Njëri ndër autorët e librit, Prof. Sabri Rexha tha që “synimi i këtij libri është gjithëpërfshirës, do të thotë në të ngërthehen lëmi të ndryshme, ngarkesa shoqërore që përputhen me sociologjinë pak a shumë si shkencë që merret me probleme shoqërore”. Ndërkaq, bashkautori i librit, Prof. Nusret Pllana u shpreh krenar për finalizimin e këtij libri, për të cilin ai tha që është punuar për më shumë se shtatë vite.

Në promovimin e librit “Edukata Qytetare” recensentët e këtij libri ndanë kohe për të treguar në lidhje me dobitë që do të sjellë ky libër, si dhe shpjeguan në pika të shkurtra edhe përmbajtjen e tij. Po ashtu, i pranishëm ne këtë promovim ishte edhe Ministri i Ekonomisë se Republikës së Maqedonisë, z. Driton Kuçi, i cili para të pranishmëve foli për veprimtarinë e Prof. Nusret Pllana, për të cilin tha që çdo herë do ta kujtoj si lajmëtarin e “Kosovës së Lirë”.

 
Libri “Edukata Qytetare” është krijuar në koordinim me nevojat e studentëve të Fakultetit të Edukimit dhe është mbështetur në planin dhe programin mësimor të kësaj njësie akademike të Universitetit të Prishtinës. Për publikimin e këtij libri, autorët kanë pasur mbështetjen e plotë të menaxhmentit të Universitetit te Prishtinës.