Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema mori pjesë në hapjen e Kongresit të 4-të të Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës.

Në fjalën e tij, Rektori Dema u shpreh i lumtur që në emër të Universitetit të Prishtinës po përshëndet hapjen e këtij Kongresi, i cili, sipas tij, jo vetëm që do të shërbejë në shkëmbimin e pikëpamjeve dhe njohurive në mes të ekspertëve dhe studiuesve të kësaj lemie, por njëkohësisht do të shërbejë edhe në ngritjen e cilësisë së praktikës të kësaj fushe të rëndësishme edhe në shoqërinë tonë. “Momentalisht, ne si shoqëri nuk kemi në dispozicion asnjë mënyrë më të përshtatshme për të arritur këto ndryshime, përpos duke shkëmbyer idetë dhe përvojat në mes të ekspertëve, siç do mundësojë ky Kongres” tha Rektori Dema, duke shtuar që do të dëshironte që të gjeturat dhe rekomandimet e këtij Kongresi, t’i shërbejnë edhe atyre që janë në rrugëtim e sipër për t’u bërë ekspertë të kësaj fushe, e që janë studentët e këtij profesioni, veçanërisht studentëve të UP-së.

Në anën tjetër, Kryetari i Këshillit të Kongresit , Prof. Asoc. Gani Bajraktari bëri zyrtarisht hapjen e Kongresit me këto fjalë: “Kardiologjia kosovare viteve të fundit ka kaluar nëpër situata jo të këndshme, dhe shpresoj që ky Kongres, përveç që do të sjellë para jush qëndrimet më të reja shkencore dhe profesionale për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, do të jetë edhe një apel për vendimmarrësit e ardhshëm që të investojnë më shumë në këtë fushë”.

Kongresi do te qëndroj i hapur dy ditë. Në këtë Kongres do të marrin pjesë 400 pjesëmarrës, prej tyre 27 ligjërues, një numër i madh i të cilëve vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, si: Suedia, Gjermania, Italia, Holanda, Turqia.