Të martën, oborri i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte rezervuar për stendat e 35 kompanive, institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse në edicionin e shtatë të Panairit Virtual të Karrierës. Në këtë ambient u bë hapja solemne e këtij edicioni të Panairit Virtual të Karrierës, Panair ky i organizuar nga Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e UP-së.

Ky Panair, i cili po operon nën moton “Komuniko virtualisht, zbulo mundësitë e zhvillimit të karrierës”, është një mundësi e re që në kohë reale studentët dhe të diplomuarit të marrin informacione për mundësitë që ofron tregu i punës, këshilla për edukim dhe orientim në karrierë.

I pari që iu drejtua të pranishmëve në këtë hapje solemne ishte Rektori Dema, i cili u uroj mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në këtë Panair. Ai uroi që ky edicion i PVK-së tu shërbejë studentëve si dritare për depërtim në tregun e punës.

“Në cilësinë e Rektorit të UP-së, ju uroj juve studentë të dashur, që ky Panair Virtual i ideuar në rend të parë për ju, të ju shërbej në gjetjen e ndonjë dritareje për depërtim në tregun e punës, dhe juve të dashur bashkëpunëtorë, që sot jeni pjesëmarrës në cilësinë e punëdhënësve, të ju falënderoj për mundësinë që po i jepni studentëve tanë, njëherësh i bindur që kjo mundësi dhënë atyre, do ju shërbejë edhe juve për të fituar kuadro të përgatitura mjaftueshëm për të qenë të dobishëm edhe për institucionin apo kompaninë të cilën përfaqësoni” tha Rektori Dema në fjalën e tij.

Ndërkaq, prorektorja për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Prof. Dr. Teuta Prishtinës  tha se platforma virtuale e karrierës mundëson që studentët në kohë reale të marrin informata dhe të  njihen me mundësitë që ofron tregu i punës. Ajo vlerësoi se janë studentët ata që e kanë rol kyç  në ngritjen e nivelit arsimor, duke i konsideruar ata si katalizatorë të ruajtjes së cilësisë në Universitet.

 

Në hapjen e Panairit të Karrierës folën edhe përfaqësuesit nga kompanitë dhe institucionet pjesëmarrëse, të cilët treguan për sfondin e kompanisë së tyre dhe mundësitë që ata do ofrojnë për studentët në këtë Panair. Një numër i madh i këtyre përfaqësuesve vlerësuan lartë bashkëpunimin e deritanishëm me UP-në. Madje, në bashkëbisedim me Rektorin Dema, përfaqësuesja nga FINCA Kosova tha që 40% e stafit aktual të bankës së tyre janë studentë që janë bërë pjesë e bankës përmes bashkëpunimeve të tilla me UP-në.

Në anën tjetër, ashtu siç ishte ideuar, studentët, të diplomuarit dhe vizitorët tjerë gjatë ditës së parë të Panairit patën mundësi që të vizitojnë stadet e kompanive pjesëmarrëse dhe të bisedojnë drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e tyre në lidhje me mundësitë që ata ofrojnë.

Disa nga kompanitë, institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse në këtë Panair janë: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana e Kosovës, ProCredit Bank, Raiffeisen Bank, DELOITTE e shumë të tjera.

Po ashtu, gjatë hapjes solemne të Panairit është bërë dhe ndarja e certifikatave për gjeneratën e katërt të praktikantëve në këndet informuese të Qendrës për Zhvillim të Karrierës të vendosura në 13 njësi akademike të UP-së.

Panairi Virtual i Karrierës do të jetë i hapur për tri ditë me radhë, përkatësisht në datat 23, 24, 25 maj 2017, në rrafshin virtual pvk.uni-pr.edu, nga ora 10:00h  deri në orën 15:00h.

Vizito: pvk.uni-pr.edu për të gjitha këto mundësi!