Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema priti sot në takim Nora Rracin, menaxhere e lartë në ProCredit Bank Kosova. Në këtë takim u bë nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në mes të të dyja palëve, memorandum i cili do i hap rrugë bashkëpunimit në një numër të konsiderueshëm të fushave në mes dy institucioneve.

Pjesëmarrëse në takim ishin edhe prorektorja për buxhet dhe financa e UP-së, Prof. Dr. Myrvete Badivuku, prorektorja për zhvillim dhe cilësi, Prof. Dr. Teuta Pustina, si dhe Albina Metaj – Ajvazi, shefe e departamentit të burimeve njerëzore dhe trajnimeve në ProCredit Bank.

Rektori Dema tha që ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë shumë të interesuar në krijimin e sa më shumë mundësive për studentët e Universiteti të Prishtinës, në mënyrë që ata të iu qasen më lehtë tregut të punës dhe të kenë mundësi më të mëdha për avancim profesional. Rrjedhimisht, Dema u shpreh i lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi, pasi që ky akt, sipas tij, paraqet një hap tutje në realizimin e këtij synimi.

Në anën tjetër, Nora Rraci, menaxhere e lartë në ProCredit Bank, falënderoi Rektorin dhe menaxhmentin e UP-së për vitalizimin e këtij bashkëpunimi shumë të dobishëm për të dyja institucionet. Ajo u shpreh shumë e kënaqur me rrjedhën e bashkëpunimit të deritanishëm me UP-në.

Përmes këtij memorandumi të mirëkuptimit studentët e UP-së do të përfitojnë mundësi të shumta për zhvillim profesional (trajnime, punëtori, praktika etj), prezantime përgatitore për orientim në karrierë, projekte të ndryshme përmes Qendrës për Zhvillim të Karrierës të UP-së dhe njësive akademike, e mundësi të tjera. Memorandumi ka hyrë në fuqi që nga momenti i nënshkrimit.