12 studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u certifikuan dje, pasi përfunduan me sukses praktikën gjashtë mujore të mundësuar nga projekti REPOWER i USAID-it, UP-ja dhe kompanitë pjesëmarrëse. Studentët e përzgjedhur, të cilët ishin nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së, kryen praktiken në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), në Zyrën e Rregullatorit Elektrik (ZRRE) dhe në Korporatën Energjetikë të Kosovës (KEK).

Në këtë ceremoni të ndarjes së certifikatave morën pjesë prorektorja për buxhet dhe financa në UP, Myrvete Badivuku dhe prorektorja për zhvillim dhe cilësi, Teuta Pustina.

 
Prorektorja Badivuku u shpreh shumë e lumtur që është pjesë e kësaj ceremonie. “Është kënaqësi e veçantë me qenë pjesë e kësaj ceremonie pranë studentëve tanë dhe përfaqësuesve të kompanive që i kanë përkrahur ata në përfundimin e punës praktikë”. Ajo shtoi që kjo eksperiencë do u ndihmojë atyre që punën teorike ta plotësojnë me atë praktike, sepse edhe pse teoria është domosdoshme, ajo nuk është e mjaftueshme.

Në anën tjetër, shefi i projektit REPOWER, Faruk Sedarevic, i uroi studentët për këtë sukses të tyre.
“Jemi shumë krenarë që ju keni qenë pjesë e këtij programi dhe shpresojmë që ky projekt do të jetë shumë i dobishëm për ju në të ardhmen, si dhe këtë eksperiencë do ta përdorni në karrierën tuaj në vazhdimësi” tha ndër të tjerash Sedarevic.

Në anën tjetër, studentët e konsideruan këtë përvojë si përvojën më të mirë që kanë pasur, duke theksuar që tani ndihen të gatshëm për të dalë në tregun e punës.

Të lumtur nga ky projekt, përveç studentëve, rezultuan të jenë edhe përfaqësuesit e kompanive, të cilët thanë që jo vetëm studentët, por edhe ata përfituan shumë nga ky program i praktikës. Ata potencuan që praktikantët gjatë kësaj periudhe treguan suksese të jashtëzakonshme, përkushtim dhe profesionalizëm.

Ky është raundi i dytë i praktikantëve që përfituan nga ky program i praktikës. Përveç studentëve të UP-së, përfitues nga ky projekt ishin edhe katër studentë nga Universiteti Amerikan i Kosovës (AUK). Ndërkaq, se shpejti planifikohet të bëhet thirrja dhe përzgjedhja e studenteve për ciklin tretë të kësaj praktike me pagesë.