Me një hapje solemne dhe në mesin e shumë të pranishmëve, Kongresi i Shtatë Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore filloi sot punimet e tij. “KISCOMS 7” është projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, i cili ka për qëllim parësor ngritjen e vetëdijes dhe interesimin e profesionistëve, si dhe studentëve të rinj të shkencave  mjekësore mbi rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore.

Në hapjen e këtij Kongresi e pranishme ishte prorektorja për zhvillim dhe cilësi e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Teuta Pustina. “Universiteti i Prishtinës inkurajon të gjithë punëtorët shëndetësor, duke filluar nga studentët tanë, që punën e tyre profesionale shëndetësore mos ta mbajnë në sirtarët e tyre por ta shpalosin në projekte të tilla përmes abstrakteve dhe hulumtimeve, të cilat UP-ja do t’i përkrah gjithmonë” tha ajo në fjalën e saj.

Në anën tjetër, Gloriosa Dobra, drejtoreshë ekzekutive e Kongresit përmes fjalimit të saj i uroj mirëseardhje të pranishmëve dhe bëri hapjen solemne të këtij edicioni të KISCOMS. Ndërkaq, Lulzim Vokrri, kryetar i Komitetit Shkencor në “KISCOMS 7”, tha që një qellim i rëndësishëm i këtij Kongresi është që të ndihmojë studentët e mjekësisë të përgatiten për rolet e ardhshme si mjekë në vendet e tyre të punës. Ai e konsideroi këtë Kongres si shans të jashtëzakonshëm për të krijuar kontakte me njerëz të cilët kanë interesim për fushën e njëjtë.

Kongresi i Shtatë Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore u realizua në bashkorganizim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, Kolegjin e Shkencave Mjekësore “Rezonanca“, si dhe me institucione të tjera shtetërore, shëndetësore, arsimore e shkencore në Republikën e Kosovës.