Projekti HERAS - Higher Education, Research and Applied Science in Kosovo, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” organizuan “Sesion informues mbi partneritetin pragmatik, grantët dhe bursat hulumtuese”. Ky sesion informues u mbajt dje në  Sallën e Senatit, në Rektoratin e UP-së.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema tha që për UP-në bashkëpunimi me HERAS është i një rëndësie të veçantë, bashkëpunim i cili do të ketë impakt në ngritjen e kapaciteteve hulumtuese shkencore në UP, përmes bursave të doktoratës dhe post-doktoratës do ndihmojë në krijimin e mundësive të mbulimit të fushave deficitare me kuadër vendor, krijimin e partneriteteve strategjike dhe në mirëfunksionimin e arsimit të lartë në vend.

Në anën tjetër, Veronica Nitsche, anëtare e Bordit Ekzekutiv të WUS Austria tha që ata ndihen shumë mirë në Kosovë dhe theksoi që bashkëpunimi me UP-në ka qenë çdo herë i shkëlqyeshëm. Ndërkaq, udhëheqësi i ekipit të HERAS, z. Aqim Emurli bëri prezantimin e asaj se çka do të flitet në këtë sesion informues, ku potencoi tri nivele me anë ndërveprimit të të cilave pritet të arrihet ndikimi, pra përmes nivelit politik, atij universitar dhe kapaciteteve njerëzore.

Sesioni informues në fjalë ka për qellim të shpërndajë dhe shpjegojë në mënyrë të detajuar informatat në lidhje partneritetin pragmatik, grantët dhe bursat hulumtuese. 

Projekti HERAS kontribuon në mirëfunksionimin arsimit të lartë dhe të hulumtimit në Kosovë, përmes kritereve të European Higher Education Area (EHEA) dhe European Research Area (ERA), duke pasur si objektivë afatgjatë mbështetjen e zhvillimit socio-ekonomik të vendit. Ai financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me fonde të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës.