Konferenca më e madhe ndërkombëtare e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” filloj dje punimet e saj. Ky edicion i University of Prishtina International Student Conference - UPISC do të zhvillohet në periudhën 2-7 maj 2017.

Në hapjen e kësaj konference mori pjesë rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema, i cili u uroi studentëve sukses dhe eksperiencë të paharrueshme në këtë konferencë. “Ndjehem i lumtur për faktin që kjo konferencë po shënon çdo herë ngritje, duke mbledhur rreth vetes studentë nga shumë vende të botës dhe duke dëshmuar që studentët e Universitetit më të madh, më të vjetër dhe më të rëndësishëm në vend, dhe më gjerë në trojet shqiptare, janë ata që duan, dinë dhe po organizojnë konferenca të tilla” tha Rektori Dema në fjalën e tij.

Besnik Avdiaj, president i konferencës, njëherësh student në UP, tha që është kënaqësi ta organizoj për të dytën herë me radhë një event kaq madhor siç është UPISC. Ai falënderoi rektorin e Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Deman, për të cilin tha që mbështeti idenë e konferencës që nga takimi i parë. 

Hapjen e konferencës ndërkombëtare të studentëve të UP-së e përshëndetën edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe drejtori ekzekutiv i UNDP-së, z. Andrew Russell, të cilët përgëzuan studentët për punën e mrekullueshme që kanë bërë.

Konferenca me temën “Ndërmarrësia tek të rinjtë” do të ketë 80 pjesëmarrës nga 35 vende të ndryshme të botës. Qëllimi i UPISC, para së gjithash, është zhvillimi personal, profesional dhe akademik i të rinjve studentë përmes nxitjes së kërkimit shkencor, rrjetëzimit dhe shkëmbimit të përvojave e kulturave të ndryshme, por mbi të gjitha, ndërtimit të urave të bashkëpunimit.