Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” e vizitoi Lord Alan Watson nga Richmond CBE – Angli, ku edhe mbajti ligjëratën me titull “What Brexit means?”. Në këtë ligjëratë ai tha se do të ishte gabim të besohet se qasja e Britanisë së Madhe ndaj Ballkanin Perëndimor pas Brexit-it do të jetë e pavarur nga shtetet anëtare të Këshillit Evropian.

Ligjërata e mbajtur në Sallën e Senatit në Rektorat zgjoi interesim të madh në mesin e profesorëve dhe studentëve.

Lordi Watson, duke folur para studentëve të UP-së, tha se Britania nuk po largohet gjeografikisht nga Evropa, por kjo po ndodhë për arsye ekonomike. Madje ai vuri në pah që beson në idenë evropiane. Watson në kuadër te ligjëratës foli edhe për marrëdhëniet me SHBA-të, për të cilat tha se janë speciale.

Para zhvillimit të ligjëratës, Lordi Watson takoi Rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema, ku ky i fundit u interesua për mundësitë e bashkëpunimit dhe mënyrave me të cilat Anglia, respektivisht Lordi Watson do të mund të kontribuojnë për Universitetin e Prishtinës.

Ndërkaq, Lordi në këtë takim dha shumë ide bashkëpunimi, duke theksuar që do të ishte shumë i lumtur nëse do të kishte mundësinë qe t’i ndihmoj Universitetit të Prishtinës, të cilin e konsideroi si shtyllë kryesore e arsimit në Kosovë.

Lordi Alan Watson ka qenë dhe është i përfshirë në fushën e komunikimit, atë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në çështje publike. Pas diplomimit të tij në Universitetin e Cambridge-it ai iu bashkua BBC-së e më pas u bë edhe moderator i disa emisioneve në kanalet e BBC1 dhe BBC2.