Sot është bërë hapja solemne e konferencës ndërkombëtare “Marrëdhëniet gjuhësore dhe kulturore gjermano-shqiptare në të kaluarën dhe të tashmen” (Deutsch-Albanische Sprach- und Kulturbeziehungen in Geschichte und Gegenëart). Organizatorë i kësaj konference është Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Fz DiMOS (Qendra për Hulumtim “Gjermanishtja në Evropën e Mesme, Lindore dhe Juglindore“) nga Universiteti i Regensburgut në Gjermani.


Në hapjen e punimeve të kësaj konference pjesëmarrës ishte prof. dr. Naser Sahiti - prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në UP, i cili më një fjalim rasti përshëndeti të pranishmit dhe organizatorët e kësaj konference, ku këta të fundit i përgëzoi për punën që po bëjnë në afrimin e miqësisë dhe kulturës gjermano-shqiptare.

Ndërkaq, nikoqirja e kësaj konference, prof. asoc. dr. Lindita Rugova – dekane e Fakultetit Filologjik, para të pranishmëve u shpreh se organizime të tilla janë tejet të nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës dhe se punimet e këtij lloji janë në shërbim të zhvillimit të njohurive kulturore gjermano-shqiptare.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë të gjitha departamentet e gjermanistikës në rajon, duke filluar nga Universiteti i Tiranës, i Shkodrës, i Elbasanit, i Tetovës dhe i Prizrenit.
Gjatë ditëve që do mbahet kjo Konferencë, pritet të prezantohen punime të ndryshme nga 35 pjesëmarrës nga vendet gjermano-folëse (studiues të njohur nga Gjermania, Austria, Zvicra, Polonia dhe Rumania) dhe nga rajoni.

Konferenca do i zhvillojë punimet e saj deri me 13 maj 2017 në Fakultetin e Filologjisë. Kjo është hera e parë që në rajonin shqipfolës po organizohet një konferencë e tillë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare, si rrjedhojë Universiteti i Prishtinës ka nderin që të jetë organizatori i parë i saj.