Konferenca ndërkombëtare “Prishtina Media Days” filloi sot punimet e saj.  Kjo konferencë është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Kosovës, Universitetin e Vjenës dhe Organizatën SEEMO.

Në fjalën e mirëseardhjes së kësaj konference, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema e konsideroi konferencën si një event të veçantë dhe kuptimplotë. “Organizimi i kësaj konference merr edhe më shumë kuptim kur kemi parasysh faktin që sot në botë po manifestohet dita botërore e lirisë së shtypit, e në një hap me globin, edhe UP-ja po i bashkëngjitet shënimit të kësaj dite me këtë konferencë”, tha rektori në fjalën e tij. Ai i inkurajoi gazetarët që të vazhdojnë të qëndrojnë si “gardianë të lirisë së shprehjes”.

Në anën tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi tha se gazetaria në Kosovë ka qëndruar e palëkundur përkundër presioneve dhe joshjeve, duke u rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë. Ai ndër të tjerash përgëzoi gazetarët për integritetin profesional që e kanë ruajtur përkundër përpjekjeve të politikes për ta cenuar atë.

Fjalë mirëseardhje në “Prishtina Media Days” mbajtën edhe ish-zëvendëskancelari i Austrisë, Erhard Busek, përfaqësuesi i Universitetit të Vjenës, Thomas Bauer dhe sekretari i përgjithshëm i SEEMO-s, Oliver Vujoviç, të cilët vlerësuan lartë punimet e kësaj konference dhe u shprehën shumë të kënaqur me interesimin e studentëve të Kosovës për të përcjellë këtë event.

Konferenca “Prishtina Media Days” trajton temën “Raporti i gazetarisë me të vërtetën - media dhe ndryshimet shoqërore”. Ajo përbëhet nga nëntë panele diskutimi dhe do të qëndroj e hapur në Fakultetin e Filologjisë të UP-së deri me 5 maj 2017.