Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Marjan Dema mori pjesë në mbrëmjen gala të edicionit të pestë të Albanian ICT Awards, ceremoni në të cilën u bë shpallja e fituesve të garës.

Në këtë mbrëmje morën pjesë të ftuar special nga bota e ICT-së, biznesit, akademisë, administratës publike, shoqërisë civile dhe medias.

Edicioni i këtij viti solli shpërblime, çmime dhe mirënjohje për tetë kategori. Ndërkaq, në këtë mbrëmje gala, Rektori Marjan Dema, së bashku me Prorektoren për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustinen, i ndanë mirënjohje të veçantë për kontributin jetësor në fushën e ICT-së, Prof. Dr. Agni Dikes.

Universiteti i Prishtinës u shfaq edhe një herë gjatë mbrëmjes, kur çmimin në kategorinë ICT Akademiku i Vitit iu nda Prof. Dr. Lule Ahmedi, profesore e asociuar në Universitetin e Prishtinës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Albanian ICT Awards është një garë mbarëkombëtare unike për nga karakteri dhe dedikimi, që ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar, udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së. Universiteti i Prishtinës e ka vlerësuar me mirënjohje garën Albanian ICT Awards të organizuar nga shtëpia botuese ICTSmedia.

Në shumë kategori, në finale u renditen studentët nga Universiteti i Prishtinës, gjë e cila konsiderohet se është edhe një mirënjohje jo vetëm për studentët, por për stafin e Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së.