Marjan Dema, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” takoi sot në zyrën e tij Labinot Kunushevcin, student i programit master në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës. Studenti në fjalë pati rastin të shpalos punën e tij, duke treguar për rrugëtimin që pati deri tek arritja e realizimit të intervistave me 14 sociologë të njohur të botes, ku në mesin e të intervistuarve janë: Anthony Giddens, George Ritzer, Patricia Hill Collins, Michael Kennedy, Liah Greenfeld e të tjerë.

Rektori Dema e përgëzoi Labinotin për punën dhe përkushtimin e tij, si dhe i premtoi atij mbështetjen për zhvillim tutje dhe përfundimin e suksesshëm të këtij projekti të intervistave.

Në anën tjetër, Labinoti përveç që ndau kohë për të treguar në lidhje me punën e tij, falënderoi edhe profesorët e departamentit të sociologjisë në UP, të cilët e kanë mbështetur atë në realizimin e këtij projekti.

Synimi i Labinotit është që në një të ardhme të afërt këto intervista t’i publikojë në formë të librit.