Sot në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit në mes të Qendrës për Zhvillim të Karrierës të UP-së dhe Programit për Zhvillim e Migrim (PME/DIMAK), në kuadër të Shoqatës Federale Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar - GIZ. Këtë memorandum bashkëpunimi e nënshkroi rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema dhe drejtori i projektit të GIZ-it për Kosovë, z. James Macbeth Forbes.

Rektori Dema shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që GIZ i ka dhënë Universitetit të Prishtinës, duke shtuar qe më bashkëpunëtorë të tillë mund të bëjnë më shumë për UP-në dhe të arrijnë të realizojnë reforma në këtë institucion.

Në anën tjetër, z. Forbes uroi rektorin Dema për punën që e ka bërë deri me tani duke u shprehur i lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi me qëllime e pika të qarta për bashkëpunim. Ndër të tjera, ai vlerësoi lartë Universitetin e Prishtinës duke thënë që të gjithë kolegët e tij në GIZ kanë qenë studentë të UP-së.

Me anë te këtij memorandumi të mirëkuptimit, Universiteti i Prishtinës, përkatësisht QZHK-ja do të bashkëpunojnë me PME/DIMAK në disa aspekt, ku ndër të tjerash hyjnë përkrahja lidhur me panairet e karrierës të UP-së, realizimi i seancave të përbashkëta informative për karrierë në njësi të ndryshme të UP-së dhe mundësi të tjera kooperimi.