Profesorë dhe bashkëpunëtorë të UP-së
Lexues e miq të nderuar,

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e UP-së, e themeluar kohë më parë për qëllim të ofrimit të shërbimeve për aftësimin, brumosjen kualitative dhe të fisnikërimin profesional të kuadrit universitar në sferën e mësimdhënies dhe të nxënies, përfundimisht e filloi guximshëm përmbushjen e misionit të vet sa të rëndësishëm po aq fisnik.

Vetëm brenda periudhës tremujore ( prill – qershor ) mbi 70 mësimdhënës e bashkëpunëtorë të UP-së ndoqën trajnimin dhe u certifikuan për mësimdhënie të reformuar e bashkëkohore në universitet. Programi i aftësimit si dhe përzgjedhja cilësore e përmbajtjeve që iu referuan bazave të didaktikës së shkollimit të lartë, metodave aktivizuese dhe teknikat e procedurat e vlerësimit të vazhdueshëm të diturive të studentëve, për vijuesit e trajnimeve ishin të qëlluara, tërheqëse dhe mjaft interesante.

Peshën e aktiviteteve, përgjegjësinë e organizimit dhe të trajnimit në tërësi, për herë të parë e barti ekipi i trajnerëve të QPM-së, të cilët ishin të aftësuar nga ekspertë ndërkombëtarë në periudhën shtator 2007 – prill 2008.

Aktivitetet fillestare në fushën e trajnimit të kuadrit universitar për mësimdhënie bashkëkohore të realizuara nga forcat e brendshme në UP, janë mjaft premtuese që në një të ardhme të afërt të zhvillojnë kapacitete të mjaftueshme për trajnime të vazhdueshme edhe në fushat tjera.

Bordi i QPM po bënë përpjekje të vazhdueshme që në kuadër të planit të vet operacional dhe me një mbështetje të vazhdueshme të stafit menaxhues të UP-së, të sigurojë resurse të mjaftueshme humane, teknike e materiale për përmbushjen kërkesave të njësive akademike që në të ardhmen e afërt të organizoj e realizoj me sukses edhe shumë trajnime tjera sipas fushave të interesimit të përfituesve.

Kolegë të nderuar,

Jam i nderuar që në emër të Bordit të Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie të UP-së të Ju përshëndes dhe të iu dëshiroj suksese të vazhdueshme në punën Tuaj akademike, profesionale e shkencore.


Prishtinë, më 26.05.2008

Kryetari i Bordit të QPM
Dr. Demë Hoti